Lajmet e Fundit

Posti i drejtorit të shkollës gjithnjë e më tërheqës

By Unknown - 1/2/13


Posti i drejtorit të shkollës po bëhet gjithnjë e më tërheqës. Punonjësit e arsimit mëtojnë të japin provimin shtetëror të drejtorit dhe të konkurrojnë për këtë detyrë sapo të krijohet mundësia e parë.
Trendin e tillë e konfirmojnë nga Komisioni për Dhënien e Provimit Shtetëror, që është institucioni kompetent për të organizuar trajnimet dhe provimet për drejtues të shkollës. Drejtori i këtij Komisioni, Jusuf Arifi, ka thënë për “Zhurnal Plus” se me përforcimin e trajnimeve dhe të kritereve për drejtor, është rritur kualiteti dhe përgatitja profesionale e vartësve të kësaj detyre. Ai ka pohuar se trajnimi realizohet nga trajnues të zgjedhur, ndërsa provimi për drejtor jepet para Komisionit Testues të formuar nga drejtori i Komisionit për Dhënien e Provimit. 
Kandidatët që kanë dhënë këtë provim për drejtor të shkollave fillore dhe të mesme fitojnë certifikatë që kanë kaluar provimin për drejtor të shkollave fillore dhe të mesme, ka informuar Arifi.
 “Gjatë vitit bëjmë grumbullimin e aplikimeve të kandidatëve dhe kur arrin numri i 10 aplikuesve, atëherë i fillojmë trajnimet. Trajnimet dëgjohen në gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe edhe atë si për shkollimin fillor edhe të mesëm. Pasi që ata i dëgjojnë ligjëratat në 6 module të cilët mbahen gjatë vikendeve, atëherë kanë të drejtë t’iu nënshtrohen provimet. Komisioni është i përbërë prej 3 anëtarëve, kryetari i Komisionit nga Qendra Shtetërore për Provime, një është nga universitetet dhe një nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Gjatë dhënies së provimit për drejtor në shkollat fillore në gjuhën shqipe në testin e fundit nëntë kandidatë kanë qenë të paraqitur, ndërsa prej tyre gjashtë kanë kaluar dhe tre jo”, ka  bërë të ditur Arifi.  
Ai ka thënë se gjatë trajnimeve i jepet më shumë rëndësi aspektit legjislativ,  organizimit, aftësive menaxheriale dhe të tjera, ndërsa pas mbarimit të tyre, drejtorët e ardhshëm dalin më të përgatitur dhe më të përshtatshëm për detyrën e drejtorit, duke ndikuar pozitivisht edhe në procesin edukativo-arsimor. 
Ndërkaq, sipas kryetarit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, Nuhi Dardhishta, nuk mjafton ndjekja e vetëm një trajnimi për t’ u pajisur me certifikatë për udhëheqjen e shkollave, sepse tij, arsimi evoluon vazhdimisht dhe drejtorët duhet të jenë të përditësuar me risitë e vendeve evropiane.
“Për të konkurruar për drejtorë, çdo kandidat duhet të japë provimin për drejtor shkolle që është i paraparë me Ligjin për Arsim. Ai provim është shumë i rëndësishëm sepse janë të parapara të gjitha fazat se si duhet të menaxhohet me një shkollë, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për shkolla fillore apo të mesme. Në të gjitha ciklet edukativo-arsimore, drejtori duhet të ketë njohuri se si duhet të menaxhohet me shkollën, sepse aty ka të bëjë fjalë me fëmijë e jo me mjete materiale”, ka thënë Dardhishta, duke vlerësuar se trajnimet duhet shtuar edhe më, si garanci për një proces më kualitativ arsimor. 
Ndryshe, Komisioni për Dhënien e Provimit Shtetëror është institucioni i vetëm kompetent në Maqedoni për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e provimit të kandidatëve për drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme. Sipas Ligjit për Dhënien e Provimit Shtetëror, ky funksion është përgjegjës të kryejë trajnim të kandidatëve për drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme, i propozon Ministrisë së Arsimit Program për përgatitjen dhe dhënien e provimit për drejtor të shkollave fillore dhe të mesme, e zbaton provimin për drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme dhe jep certifikatë kandidatëve që kanë kaluar provimin për drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme.  

Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS

0 comments for "Posti i drejtorit të shkollës gjithnjë e më tërheqës"

Leave a Reply