Bota në vitin 2012
By Unknown - 12/31/12
Viti 2012 karakterizohet me shumë zhvillime politike, luftëra, kriza ekonomike... Por, megjithatë, me më pak katastrofa natyrore e më pak shkelje të drejtash të njeriut. Telegrafi ka bërë përmbledhjen e ngjarjeve kryesore që kanë shënuar botën në vitin 2012.
Barack Obama me familje, pas shpalljes së rezultateve që vërtetuan mandatin e tij të dytë presidencial në SHBA.
Rizgjedhja e Barack Obamas për president, konsiderohet si një nga ngjarjet kryesore politike të vitit. Madje, vlerësohet të ketë rëndësi më të madhe se fitimi i mandatit të parë nga ai më 2008, sepse amerikanët këtë herë votojnë në bazë të rezultateve dhe besimit se do ai t’i përfundojë punët e lëna në gjysmë. Përkundër dështimeve të shumta të tij, amerikanët e votuan, sepse sipas analistëve, ata e dinin se ai është munduar të sjellë ndryshime pozitive.
Këtë vit janë mbajtur edhe tri palë zgjedhjet të rëndësishme presidenciale, dhe atë në tri shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit: në Kinë, në Rusi dhe në Francë.
Xi Jinping, lideri i ri i Kinës
Xi Jinping, lideri i ri i Partisë Komuniste Kineze nuk është ende formalisht president i ri i Kinës, por mund të cilësohet si një ndër njerëzit më të fuqishëm që do të diktojë politikën globale. Ai do të jetë njeriu i cili nga marsi 2013 do të drejtojë Kinën për 10 vitet e ardhshme. Që në momentin e emërimit, Jinping ka folur për sfidat e mëdha me të cilat përballet Partia Komuniste dhe korrupsionin që duhet frenuar.
Pamje nga protestat anti-Putin në Moskë
Këtë vit e ka shënuar zgjedhja e Vladimir Putinit si president i Rusisë. Emërimi i tij menjëherë është përcjellë nga reagime të shumta. Dhjetëra-mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Moskës dhe qyteteve tjera, dhjetëra aktivistë janë arrestuar. Zgjedhja e tij, për të tretën herë në Kremlin, ka hasur në shumë parregullsi dhe për këtë kanë raportuar shumë organizata ndërkombëtare.
François Hollande përshëndet mbështetësit e tij nga selia e Partisë Socialiste të Francës
Zgjidhja e Francois Hollandet për president të Francës, ka ndikuar në rimodelimin e politik të Bashkimit Evropian. Ai ka zhvilluar një fushatë, e cila është fokusuar në rritjen ekonomike - për dallim nga masat shtrënguese - një politikë kjo që e vuri kreun e ri francez menjëherë në konflikt me Gjermaninë.
Kryengritësi sirian, në qytetin e rrënuar nga luftimet, Aleppo
Lindja e Mesme mbetet kriza më e madhe e trazirave, sidomos lufta civile në Siri ku ende nuk ka unitet ndërkombëtar për ta zgjidhur si duhet problemin në këtë vend: në njërën anën janë amerikanët dhe aleatët perëndimorë, e në anën tjetër Kina dhe Rusia që mbështesin regjimin e Bashar al-Assadit. Ky problem do ta përcjellë rajonin edhe në vitin 2013, meqë dy shtetet të forta, Kina dhe Rusia, duan ta ruajnë ndikimin në rajon përmes Sirisë.
Krahas kësaj, si problem tjetër në këtë rajon, duhet të ceket këtu edhe Irani dhe programi i tij nuklear, për shkak të të cilit shtetet perëndimore i kanë vënë sanksionet ekonomike, ndërsa në shumë raste janë dëgjuar pretendimet për luftë të Izraelit dhe SHBA-ve kundër këtij shteti.
Fëmija palestinez feston pas lajmit se OKB ia ka njohur Palestinës statusin e shtetit vëzhgues
Vendimi i Asamblesë së OKB-së për ta pranuar Palestinën si shtet vëzhgues, cilësohet si mbështetje e botës për interesat palestineze. Por, gjërat nuk janë aq pozitive në terren. Izraeli nuk tërhiqet: në shkurt dhe tetor trupat e saj kanë bombarduar Rripin e Gazës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe njerëzore në territoret palestineze.
Konsullata amerikane në flakë, gjatë protestave në Bengazi të Libisë, kundër filmit “Pafajësia myslimane”
Ndër ngjarjet që kanë shënuar botën janë edhe trazirat e shtatorit në botën islame, kundër filmit kontrovers “Pafajësia myslimane”, për çka sulmohen ambasadat amerikane në shumë shtete arabe, ndërsa në Libi vritet ambasadori amerikan.
Karikaturë e publikuar pas ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe, me titullin: “Bashkimi Evropian: I armatosur për paqe”!
Ndërsa, ngjarje e veçantë është edhe ndarja e Çmimit Nobel për Bashkimin Evropian. Derisa shumë kritikë e kanë përqeshur këtë vendin, sipas të tjerëve çmimi ka rëndësi sepse çmon kontributin e gjashtë dekadave të Unionit për zhvillimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në Evropë, për solidaritetin dhe besimin për ndryshimin pozitiv të botës.
Protestuesit në Spanjë, kundër masave qeveritare të kursimit
Vitin 2012 natyrisht se e kanë shënuar recesionet në shumë vende të botës, e sidomos në Evropë. Kriza globale vështirëson jetët e shumë njerëzve dhe kjo është pasojë e shumë skandaleve me banka, të cilat u zbuluan sivjet, p.sh. me “JP Morgan”, “Standard Chartered” e madje edhe me “HSBC” që është akuzuar se ka hapur dyert e sistemit global terrorist financiare dhe spastrimit të parave.
Në Turqi vazhdojnë të shkelen të drejtat e gazetarëve
Viti 2012 do të mbahet mend për përparime të dukshme në fushën e të drejtave të njeriut. Ndërsa, ndër shembujt më të veçantë të abuzimeve me të drejtave të njeriut cilësohet urrejtja ndaj gazetarëve në Turqi dhe e romëve në Hungari.
Në fakt, nën sundimin e Recep Tayyip Erdoganit, është miratuar ligji mbi mediat që pothuajse e kriminalizon gazetarinë. Prandaj, më shumë se njëqind gazetarë turq gjenden në burg ose të kërcënuar me ndjekje penale, vetëm pse ata kanë vendosur të punojnë profesionalisht e për të marrë deklarata nga politikanët dhe rebelët kurdë, të cilët autoritetet turke i cilësojnë si ndihmues të terroristëve.
Në Evropë mbetet problem urrejtja ndaj romëve. Para një viti, me politikë johumane ndaj tyre është cilësuar Franca e Nicholas Sarkozyt, derisa këtë vit primatin e kishte Hungaria, me kryeministrin konservator Viktor Urban. Romët i nënshtrohen përndjekjeve të neonazistëve dhe ekstremistëve djathtistë, ndërsa policia nuk reagon. Human Rights Watch ka shkruar se situata është “e errët” dhe pa shenja përmirësimi.
Një burrë kongolez qan pasi kupton se anëtarët e familjes së tij janë vrarë në betejën e Gomas. Sipas organizatave humanitare, rreth 200 mijë fëmijë në Kongo rrezikohen të rrëmbehen nga ushtarët për t’i angazhuar në luftë
Shkelja më e madhe e të drejtave të njeriut ka ndodhur në Afrikë. Fundamentalistët islamikë e kanë marrë kontrollin në Mali dhe kanë vënë rregulla talibane, që përfshinë ndalimin e dëgjimit ose bërjes muzikë, gjë që ndalohet madje me këputjen e dorës. Në Republikën Jugafrikane vazhdon dhunimi brutal i lezbikeve, akt ky që cilësohet si “korrektues” që do të duhej të ndryshonte orientimin e tyre seksual. Në Kongo vazhdojnë luftërat lokale me krime të mëdha, ndërsa “Pranvera Arabe”, sipas analistëve, është shndërruar në “Sheriatin e Dimrit”, sidomos me protestat e mëdha në Egjipt.
Kufomat në rrugë: viktima të luftës së kartelave të drogës. Në gjashtë vitet e fundit, mbi 50 mijë njerëz në Meksikë janë vrarë nga grupet e tilla kriminale
Në Meksikë vazhdon lufta kundër kartelave të drogës dhe të kartelave me njëra tjetrën. Vrasjet shënohen çdo ditë. Ndërsa, në Indi vazhdojnë të shkelen të drejtat e femrave, për çka ndodhën në dhjetor protesta masive, sidomos pas dhunimit të studentes 23 vjeçare të mjekësisë. Disa hulumtime thonë se çdo e gjashta indiane ishte viktimë e dhunës seksuale, derisa çdo i katërti indian kalon i padënuar.
Avokatët e të drejtave të njeriut kanë pasur një vit të ngjeshur në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në mes të konflikteve të armatosura, goditjes qeveritare dhe ligjeve represive të reja. Profilet e disa prej mbrojtësve më të zëshëm të të drejtave të njeriut dhe demokracisë për vitin 2012 mund t’i shihni duke klikuar këtu.
Vërshimet e shkaktuara në SHBA, nga uragani “Sandy”
Viti 2012 ka shënuar më pak katastrofa, por kjo nuk do të thotë se ato kanë munguar. Sipas të dhënave, gjatë këtij viti katastrofat kanë marrë jetët e 11.000 personave, derisa një vit më parë, nga cunami, vetëm në Japoni kanë vdekur 15.878 njerëz. Kur është fjala te dëmet ekonomike, ato i ka pësuar më së shumti SHBA-të, me super-stuhinë “Sandy” që në fund të tetorit ka goditur bregun lindor të vendit, dëme këto që vlerësohen në 30-50 miliardë dollarë.
Pamje nga Arktiku
Sipas Organizatës Botërore të Meteorologëve, sasia e dioksidit të karbonit më 2011 ka arritur nivel rekord, ndërsa sivjet ka arritur në pikën pa kthim. Pra, pasojat e ndryshimeve klimatike nuk mund të ndalohen dhe kjo dëshmohet edhe me incizimet satelitore të cilat kanë regjistruar sasinë më të vogël të akullit deri sot në Arktik.
Këtë vit ishin dy tërmete të magnitudës 8 dhe 9.9 të shkallës rihter, derisa në tri vitet e kaluara ishin nga një të këtij niveli. Por, në krahasim me tri vitet e kaluara, këtë herë kishte edhe më pak tërmete të magnitudës 5-7.9 shkallë.
Shtëpi e vërshuar nga uji, në Britaninë e Madhe
Vitin 2012 e kanë karakterizuar vërshimet në shumë vende të botës: Kinë, Rusi, Brtani e Madhe, Indi, Kore veriure, Pakistan etj. Ndërsa, Afrikën e kanë kapluar thatësira të mëdha nga të cilat 18 milionë njerëz kanë mbetur pa ushqim të mjaftueshëm.
Zbulimi më i madh i vitit 2012 cilësohet “Grimca e Zotit”, apo “Bozoni i Higsit”, të cilit shkencëtarët e kanë kërkuar 40 vjet rresht dhe i cili do të ndihmojë shkencëtarët ta zbërthejnë më mirë masën, Big Benin dhe vet jetën.
Festë në NASA: “Curiosity” zbarkoi në Mars
Këtë vit merren edhe gjurmët e ADN-së të njeriut të denisovit, që ka jetuar në Sibir - lloj i panjohur i njeriut që besohet se ka jetuar të njëjtën kohë me neandertalët. Ndërsa, si sukses llogaritet edhe zbritja e automjetit “Curiosity” në sipërfaqen e Marsit.
Ndër zbulimet tjera të rëndësishme të vitit që lamë janë edhe këto: me rrezet e rëntgenit mund të njihen proteinat në strukturën e përbërjeve të larmishme; modifikimi gjenetik është i mundshëm dhe shkencëtarët kanë arritur të ndryshojnë apo të pezullojnë gjenet e caktuara te peshqit, bretkosat, por edhe njerëzit; shkencëtarët holandezë, pas debateve 70 vjeçare japin dëshmi të ekzistimit të fermionit majorana që për vete janë antimaterie; ndërsa, është vërtetuar se kodi gjenetik njerëzor është më funksional se që është menduar dhe po ashtu është vërtetuar se pacientët e paralizuar mund të lëvizin duart dhe këmbët artificiale me mendje.
Pamje nga varrezat masive në Srebernicë (foto e përzgjedhur e vitit 2012, nga agjencia Reuters)
Kur është fjala te ngjarjet kryesore të vitit 2012, çdo moment emocionues, fotografët më të mirë të botës kanë qenë në gjendje ta regjistrojnë, ndonjëherë duke e ekspozuar veten në rrezik. Përzgjedhjen e agjencisë Reuters të fotografive më të mira për vitin 2012 mund ta shikoni duke klikuar këtu.
Po ashtu, më poshtë mund ta shihni edhe një video-përmbledhje, të realizuar nga “Radio Evropa e Lirë”, të ngjarjeve që shënuan botën më 2012.
Për fund, vlen ta përmendim edhe datën më të diskutuar të vitit: 21 dhjetorin 2012. Sipas Kalendarit Maya, interpretimit real të tij, pas kësaj date njerëzimin do ta presin ditë më të mira. Shpresojmë të jetë kështu.
Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS
0 comments for "Bota në vitin 2012"