Lajmet e Fundit

Mërkuri Në Merluc E Barbun, 2.8 Herë Më I Lartë Se Norma

By Unknown - 1/28/13


TIRANE-Niveli mesatar i Mërkurit tek peshqit barbun e merluc në Gjirin e Vlorës është 2.8 herë më i lartë se vlera referenciale prej 0.22 ppm e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Shteteve të Bashkuara.
Në këtë përfundim ka arritur një studim i realizuar nga IPEN dhe Instituti i Kërkimeve të Biodiversitetit për vitin 2012. Ka qenë qendra EDEN që ka kryer marrjen e mostrave të peshqve të llojit merluc (11 lloje) dhe barbun (3 lloje) në bashkëpunim me peshkatarët e zonës, duke respektuar protokollet e Institutit për Kërkime mbi Biodiversitetin, ndërkohë që matjet e nivelit të Mërkurit u kryen në laboratorin e tyre në Gorham, Maine të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas rezultateve, vlerat maksimale të Mërkurit vërehen tek barbuni. Ato janë katër herë më të larta sesa vlera referenciale. Dy nga kampionet e peshqve barbun gjithashtu e kalojnë edhe limitin e BE-së, ndërsa katër nga kampionët e peshqve merluc tejkalojnë vlerën referenciale maksimale të Mërkurit. 
Shëndeti 
Sipas specialistëve, kur Mërkuri bie në oqean, mikroorganizmat e transformojnë atë në një formë toksike, e cila më pas bëhet pjesë e zinxhirit ushqimor. Kjo formë toksike përthithet tërësisht nga trupi dhe njerëzit janë të ekspozuar, kryesisht nëpërmjet konsumimit të peshkut. Sipas raportit, Mërkuri është prezent në forma të ndryshme, por forma organike e tij, Metil Mërkuri, është veçanërisht helmuese për njerëzit dhe faunën. Kjo, pasi në këtë formë Mërkuri përthithet lehtësisht nga trupi dhe mund të grumbullohet në organe si p.sh. në tru. 
Njerëzit i ekspozohen Metil Mërkurit në radhë të parë nëpërmjet konsumimit të peshkut, ndërsa ekspozimi në nivele të larta mund të dëmtojë në mënyrë të përhershme trurin dhe veshkat. Gjithashtu, ndikimi i dëmshëm kalohet edhe nga nëna tek fetusi dhe mund të çojë në dëmtim të trurit, vonesa mendore, verbëri dhe pamundësi për të folur. Shumë  organizata kombëtare dhe  ndërkombëtare  të shëndetësisë vlerësojnë Mërkurin në peshk si një kërcënim për shëndetin e njeriut, jetesën dhe mjedisin. 
Fabrika e sodës Fabrika e njohur me emrin “Fabrika e PVC-së”, është burimi më i madh i ndotjes nga Mërkuri në Gjirin e Vlorës. Fabrika u vu në punë në 1967-ën dhe përdorte proces me qeliza Mërkuri për të prodhuar sodë kaustike dhe PVC. Në kapacitetin e plotë të punës së saj fabrika prodhonte 24.000 ton sodë të kalcifikuar, 15.000 sodë kaustike dhe 10.000 ton PVC. Impianti i fabrikës së sodës i depozitonte mbetjet e tij të patrajtuara në Gjirin e Vlorës dhe gjithashtu depozitonte mbetje në trajtë llumi në një zonë pranë bregut të detit. Impianti u mbyll në vitin 1992 dhe që prej asaj kohe godinat e fabrikës u shkatërruan plotësisht. Sipas raportit, llumi i depozituar vazhdon të mbetet pranë bregut të detit dhe asnjë masë nuk është marrë për të parandaluar ndotjen e mëtejshme të Gjirit të Vlorës dhe banorëve që ndodhen në afërsi të tij. 
Në vitin 2002, në një mision identifikimi të UNEP/MAP zona u identifikua si një “hot spot”, pasi një kampion toke në zonën e ish-fabrikës u gjet me nivele Mërkuri më të larta se 10.000 ppm. Ky nivel ishte 1000 herë më i lartë se nivelet e lejuara në vendet e Bashkimit Europian.

Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS

0 comments for "Mërkuri Në Merluc E Barbun, 2.8 Herë Më I Lartë Se Norma"

Leave a Reply