Këshilla për mirësjellje në çdo rrethanë
By Unknown - 1/26/13
Bontonin e bëjnë një grup rregullash të sjelljes dhe të shoqërimit me të tjerët në shoqëri të caktuar. Mund të definohet shkurt si kod etik dhe si mirësjellje.
Ju ftojmë që temën të cilën do ta hapim t’i marrim parasysh se të gjitha ato që do t’i theksojmë janë përshkrime konkrete të sjelljeve dhe shprehjeve të rekomanduara, janë të arritshme, por të cilat janë edhe rregulla themelore.
Prezantimi reciprok
Është zakon që njerëzit të prezantohen me njeri-tjetrin. Gjithmonë personi i ri i prezantohet më të vjetrit, mashkulli femrës, dhe ai i cili ka një pozitë më të ulët atij me pozitë më të lartë. Kur dikë e prezantoni, duhet ta theksoni kuptueshëm emrin dhe mbiemrin e tij.
Mirëpo, mos e tregoni vetëm emrin dhe mbiemrin e tij, por shtoni diçka që më mirë do ta vërë në pah profesionin e tij etj., në mënyrë që personi të cilit ia keni prezantuar të mund më lehtë të fillojë bisedën. Kur vetë prezantoheni, thoni emrin dhe mbiemrin tuaj, por jo edhe profesionin apo pozitën.
Në shtëpi apo në ambient të mbyllur
Kurdo që në shoqëri të meshkujve apo të femrave dikë dikujt ia prezantoni, mashkulli i cili është i ulur, duhet të ngrihet në këmbë.
Femra nuk është e detyruar të ngrihet në këmbë kur ia prezantojnë ndonjë mashkull, mirëpo femrat e reja dhe vajzat duhet të ngrihen në këmbë kur i prezantohen femrave më të vjetra. Kur i prezantoni të afërmit tuaj, mos thoni vetëm: “ky është vëllai im” apo “kjo është motra ime”, por emrin dhe mbiemrin e tyre.
Përshëndetja me dorë
Dorën e para e shtrin femra apo ai që është më i vjetër, për shembull, mashkulli më i vjetër apo femra vajzës së re, përkatësisht sipas funksionit i larti të ulëtit. Kur përshëndeteni me dorë, dorën mos e shtrëngoni plogësht e as tepër fortë, e aq më pak të shkundni duart. Mospranimi i dorës së shtrirë është ofendim i pafalshëm.
Puthja e dorës është zakon që ka lindur në Evropën e Mesme. Kësaj tani, posaçërisht të rinjtë gjithnjë e më pak i japin rëndësi, ndërsa kjo gjë pothuajse krejtësisht ka dalë nga moda. Mirëpo, megjithatë, nëse mashkulli femrës ia puth dorën, i lejohet të bëjë atë vetëm në ambiente te mbyllura e assesi në rrugë.
Përshëndetja
Më së miri do të krijoni simpati me përshëndetje xhentile. Mashkulli me rastin e përshëndetjes, nëse është kryeshtruar, përkulet lehtë, por nëse mban kapele republikë, e heq nga koka. Beretën apo kapelën me rastin e përshëndetjes nuk duhet hequr. Femrat përshëndesin vetëm me ulje koke. Mashkulli në rrugë me rastin e përshëndetjes heq kapelën republikë. Kur hyn në zyrë, lokal apo në ashensor, mirëpo edhe kur shkon në banesë private, patjetër duhet të heqë kapelën republikë.
Përshëndetja duhet bërë gjithmonë ëmbëlsisht dhe çdo përshëndetjeje duhet përgjigjur me përshëndetje. Me rastin e përshëndetjes mos u bëni shumë i zhurmshëm, mos bëni me dorë, mos bërtisni në rrugë “Tungjatjeta”, e aq më pak “hej, alo”, etj.
Nëse mashkulli përshëndet një grup meshkujsh, janë të detyruar që të gjithë t’ia kthejnë përshëndetjen, edhe ata që nuk e njohin.
Nëse përshëndet shoqërinë e përzier, femrat edhe nëse nuk e njohin, patjetër duhet t’ia kthejnë përshëndetjen me ulje koke. Kuptohet vetvetiu që mashkulli me rastin e përshëndetjes nuk bën t’i mbajë duart në xhepa apo cigaren në buzë. Në shenjë përshëndetjeje në lokal të rinjtë ngrihen në këmbë kur të vjetrit i afrohen tavolinës.
Në rrugë
Dikur ka qenë rregull që mashkulli në shoqëri të femrave, nëse trotuari ishte i ngushtë, të shkonte skaj rrugës, domethënë në atë anë e cila është afër rrugës në mënyrë që eventualisht ta mbronte nga automjetet, tramvajet apo nga ndonjë mjet tjetër qarkullimi.
Po qe se trotuari ishte i gjerë, femra ecte në anën e djathtë të mashkullit, po qe se ishin dy femra, mashkulli ecte në mes tyre. Nëse ecni trotuarit ndërkaq fillon shiu, ngrijeni çadrën në atë mënyrë që të mos i pengoni kalimtarët e tjerë.
Ndihmoni të verbëritë në vendkalime, invalidët, pleqtë dhe kujdesni për fëmijët të cilët ecin rrugës vetëm.
Nëse dikë rastësisht e keni shtyrë, kërkoni falje.
Nëse duke ecur në rrugë, mbani femrën për dore, apo ajo juve ju mban përdore, nuk bënë që dorën e lirë ta mbani në xhep dhe cigaren në buzë. Është shenjë e sjelljes së keqe nëse mashkulli apo femra pinë duhan në rrugë.
Pështymja në rrugë jo vetëm që është johigjienike por edhe krejtësisht e pasjellshme. Kurrë mos dilni në rrugë në fustan të gjatë shtëpie apo me papuçe për të hedhur bërllokun apo për të dalë shpejt e shpejt në dyqan.
Në treg
Kur të shkoni në treg patjetër duhet të dini më parë dhe të vendosni se çka dëshironi të blini. Nuk është edukatë të kërkohet nga shitësit t’ju tregojë “gjysmën e dyqanit”, ndërkaq ju të mos blini asgjë. Po qe se nuk keni gjetur atë që keni dëshiruar të blini, me njerëzi kërkoni falje shitësit.
Në kafene dhe restorant
Në kafene, restorant apo në ndonjë lokal të ngjashëm gjithmonë mashkulli hyn i pari. Me rastin e daljes nga lokali femra del e para. Nëse femra nuk e ka lënë pallton në gardërobë, mashkulli i ndihmon asaj ta zhveshë, dhe nuk lejon t’i ndihmojë kamerieri. Femrat nuk e lënë kapelën republikë në gardërobë.
Te tavolina e para ulet femra. Ushqimet dhe pijet i porosit mashkulli, mirëpo vetëm kur është këshilluar më parë me femrën. Gotën me pije e mbush mashkulli. Nuk është mirë të shihet femra në shoqëri të meshkujve të cilët mbushin gotat e veta me pije.
Tani kur shumica e femrave punojnë dhe fitojnë vetë para, nuk mund të pritet që gjithmonë mashkulli të paguajë. Femrat të cilat nuk dëshirojnë që ndokush t’i qerasë, le të dalin dhe të paguajnë faturën e vetë apo në ndonjë rast tjetër t’ua kthejnë në mënyrën më të përshtatshme. Në marrëdhëniet miqësore vlen rregulla që secili të paguajë për vete.
Në lokal, në shenjë përshëndetjeje, të rinjtë ngrihen në këmbë kur të vjetrit i ofrohen tavolinës. Patjetër duhet të jetë rregull që meshkujt rreth ndonjë tavoline të ngrihen në këmbë kur femra vjen apo kthehet te tavolina. Femra, gjithsesi, duhet të kujdeset që këtë gjë të mos e bëjë orë e çast.
Kur femra është ulur te tavolina nuk bën të grimohet, të krihet, të shikohet në pasqyrë (për këtë ekziston gardëroba apo lokali për tualet), mirëpo nëse mund të lyejë buzët pa pasqyrë mund ta bëjë këtë. Dorezat dhe çanta nuk bën të lihen mbi tavolinë. Ato t’i lini në karrige afër vetes.
Kur femra del nga lokali, mashkulli ia hap derën. Do të ishte e paedukatë që mashkulli të shtyhej për të dalë i pari nga dera. Mirëpo, kjo nuk vlen vetëm për çiftet, por edhe për çdo të njohur e të panjohur. Në derën e hyrjes të shtëpisë apo të lokalit përparësi ka ai që del. Femrat dhe të vjetrit kanë përparësi edhe kur hyjnë edhe kur dalin.
Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS
0 comments for "Këshilla për mirësjellje në çdo rrethanë"