Lajmet e Fundit

Mësimi shqip në Podgorcë: Fashizmi e lejoi, Gruevski e ndaloi!

By Unknown - 12/29/12


Në kohën e pushtimit fashist në Podgorcë të Strugës zhvillohej lirshëm mësimi në gjuhën shqipe, ndërsa në kohën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, është i ndaluar mësimi në gjuhën shqipe në këtë fshat. Profesorët vlerësojnë se ky veprim është absurdi më i madh i këtij shekulli.

Fshati Podgorcë i Strugës ka pas shkollë në gjuhën shqipe në vitin 1942, ndërsa sot fëmijët e këtij fshati bëjnë disa kilometra rrugë për të mësuar shqip, pasi pushteti në asnjë mënyrë nuk lejon që në këtë fshat të hapet një paralele me mësim në gjuhën shqipe.
Shkolla Fillore “Iljaz Podgorca” u hap më 21 dhjetor të vitit 1942. “Në vitin e parë shkollor (1942-1943) ajo numëronte 113 nxënës, prej të cilëve 33 ishin femra, me mësuesin pishtarë Tomor Starova nga Pogradeci. Në vitin shkollor 1943-44, punojnë dy mësues Tomor Starova dhe Theofan Dokja, por numri i nxënësve do të jetë vetëm 27”, shkruan historiani Nebi Dervishi, në një hulumtim të bërë për shkollën e Podgorcës, botuar në “Lajm”. Ai sqaron se edhe në fshatin Podgorcë, në kuadër të Shkollës Fillore “Iljaz Podgorca” u organizuan kurse për zhdukjen e analfabetizmit për të moshuarit, numri i të cilëve më 21 dhjetor 1942 arin në 71 vetë, por deri në 31 maj 1943 numri i tyre ngel vetëm 43 kursistë. Edhe kursin me të moshuar e mbanin mësuesit pishtar Tomor Starova dhe Theofan Dokja.
Ndërkaq, në vitin shkollor 2012/2013 në shkollën e Podgorcës e cila tashmë ka emrin “Goce Dellçev” nuk mëson asnjë nxënës në gjuhën shqipe.
Prindërit e nxënësve shqiptarë që janë nga ky fshat ka tre vjet që kërkojnë hapjen e një paraleleje në gjuhën shqipe, por atë nuk ua mundëson ministria e arsimit, me arsyetimin se nuk ka numër të mjaftueshëm të nxënësve.
Megjithatë, në shkollën e Pogdorzës ku mësojnë 208 fëmijë maqedonas nuk ka asnjë paralele me 24 nxënës. 208 nxënësit e kësaj shkolle janë shpërndarë në 12 paralele, ose mesatarisht nga 17 nxënës në klasë. Të gjitha paralelet në këtë shkollë janë në kundërshtim me nenin 41 të Ligjit për Arsimin fillor, i cili është decid që asnjë paralele të mos ketë më pak se 24 nxënës e as më shumë se 34 nxënës.
Profesor Avzi Mustafa thotë se është absurde që në shekullin e 21 të ndalosh mësimin në gjuhën amtare. “Është e drejtë e secilit që të mësojë në gjuhën e tij, por kjo që po ndodh me nxënësit e fshatit Podgorcë është absurditeti më i madh i këtij shekulli”, thotë Mustafa për “Lajm”. Ai thotë se Ministria e Arsimit përmend zbatimin e ligjit vetëm në ato raste që kanë të bëjnë me nxënësit shqiptar, ndërkaq, në Maqedoninë Lindore ka klasa me nga një nxënës dhe dy mësues, por për ata nuk vlen Ligji. 

Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS

0 comments for "Mësimi shqip në Podgorcë: Fashizmi e lejoi, Gruevski e ndaloi!"

Leave a Reply