Lajmet e Fundit

Terr në rrugët qendrore të Tetovës

By Unknown - 1/4/13


Vazhdojnë problemet me ndriçimin publik në Tetovë. Gati se një muaj në qendër të Tetovës, gjegjësisht në bulevardin "Marshall Tito", qytetarët gjatë orëve të natës qarkullojnë nëpër terr. Kjo ka shkaktuar revoltë te qytetarët, të cilët ankohen se gjatë natës në këtë pjesë qendrore të qytetit kalojnë në rrugë të pandriçuar. Qytetarët shprehen se kjo pjesë është më e frekuentuar edhe nga vetë qytetarët, por edhe nga nxënësit të cilët në këtë vend presin transportin nëpër fshatra.
Ata ankohen se në këtë pjesë krahas territ poashtu përballen edhe me qentë endacak të cilët rrezikojnë kalimtarët. "Një kohë të gjatë në këtë pjesë nuk ka ndriçim, kurse pikërisht në këto hapësira ka edhe shumë qen endacak dhe është rrezik. Trotuaret janë shumë të frekuentuar pasi që është pjesa qendrore e qytetit dhe duhet që të rregullohet", thotë një qytetar i Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës, konkretisht nga Sektori për veprimtari botore njoftojnë se problemi me ndriçimin publik në qendër të Tetovës është për shkak të punimeve që kryhen në qendër rreth rregullimit të unazës. "Për shkak të borës tani më zgjasin punët në qendër, por shpresojmë se me rregullimin e unazës edhe ndriçimi publik do të jetë në rregull", thotë Ertan Xhelili nga Sektori për veprimtari botore në Komunën e Tetovës. Ndërkaq, probleme me ndriçimin publik ka edhe nëpër rrugë tjera, si afër tregut të gjelbër, "Jane Sandanski", "Bllgoja Toska" dhe në rrugën industriale. Nga ky sektor konfirmojnë se edhe në këto pjesë ka probleme për shkak të punimeve, pasi që gjatë punëve ndalet ndriçimi publik që të mos dëmtohet rrjeti. "Edhe në këto pjesë ka probleme me ndriçimin publik, për shkak se edhe në këto rrugë ndërtohen unazat. Mendojmë që së shpejti të rregullojmë këtë pasi që të lejojnë kushtet klimatike", thotë Xhelili. Problemet me ndriçimin publik në Tetovë nuk janë evidente vetëm në këtë kohë, por ato gjithnjë kanë qenë problem permanent në këtë qytet. Lagjet periferike shpesh janë pa ndriçim, kurse në këtë periudhë më shumë problem paraqet për fëmijët që shkojnë në shkollë, të cilët duhet të kalojnë nëpër rrugë pa ndriçim dhe janë të ekspozuar nëpër rreziqe të ndryshme. Përgjegjësit në Komunën e Tetovës kanë bërë të ditur se pas vitit të ri do të zgjidhet firma e cila do të merret me mirëmbajtjen e ndriçimit publik përmes partneritetit privat.
"Firma do të duhet që në afat prej 9 muajve të zëvendësojë rreth 8 mijë e 300 poça elektrike nga ndriçimi publik, ndërsa me këtë do të ndriçohen dhe shumë rrugë që deri më tani nuk kanë pasur. Nga komuna kanë bërë të ditur se në shumë raste poçat elektrike dëmtohen edhe nga vetë njerëzit e pandërgjegjshëm dhe mirëmbajtja e tyre i kushton shumë komunës. Pritet me këtë që edhe shumë lagje periferike të qytetit të kenë ndriçim më të mirë dhe një pjesë e rrugëve të cilët përdoren edhe nga këmbësorët të jenë të ndriçuara", deklaroi Ertan Xhelili, nga Sektori për veprimtari botore në Komunën e Tetovës. Ky projekt parasheh investime dhe mirëmbajtje të ndriçimit publik me çka do të rritet kualiteti i ndriçimit dhe do të kursehet energji elektrike.(U.H. - KOHA)

Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS

0 comments for "Terr në rrugët qendrore të Tetovës"

Leave a Reply