Për qytetin tim …
By Unknown - 1/25/13
Lirim SHABANI, Afganistan
Para se të nisesha t’i hedh mendimet e mia në letër për qytetin ku kam lindur, lexova ca të dhëna për Tetovën nga faqja zyrtare e komunës. Për çudi, të dhënat për popullatën e Tetovës janë të ndryshme. Në rubrikën për pozitën gjeografike të qytetit hasim shifrën prej afër 90 mij banorëve në komunën e Tetovës, ndërkaq nëse shohim rubrikën demografike atëherë hasim shifrën prej 200 mij banorëve në Tetovë. Menjëherë nis e më turbullohet mendimi sepse është e vështirë të përcaktohem se për kë të shkruaj: për komunën e Tetovës, apo për Tetovën. Problemi i dytë që më turbullon është tema, pra për çfarë të shkrauj, sepse ka shumë gjëra për të cilat shqetësohem. Kështu, duke marë parasysh gurbetllëkun tim në Irak e Afganistan (ku ndodhem tani), shëtitjet e mia në Turqi, Emirate, për të vazhduar me Greqi, Belgjikë, Austri, Zvicër e Gjermani, atëherë mendova që këtë radhë të shkruaj për aspektin infrastrukturor të Tetovës.
Nga shtetet që kam arritur t’i vizitoj, syri im ka shikuar qytete mjaft të bukura, ku arkitektuara është shumë e zhvilluar. Në shumë nga këto vende pashë një pjesë të vjetër të qytetit dhe një pjesë të re. Por, kur kthehem në Tetovë, atëherë nuk më shkon ndërmend të mendoj nëse ka pjesë të vjetër dhe të re të qytetit, sepse menjëherë në hyrje të qytetit ndeshem me një kaos komunikacioni, si rezultat i mungesës së vendëparkimit, por edhe si rezultat i mosrespektimit të regullave të parkimit në ato pak hapësira ekzistuese; aty afër sheh edhe veturën e Policisë që ka futur turi me një anë; aty sheh edhe kalimtarët të cilët kalojnë në mes të rrugës, në pjesë ku nuk ka vijëzim këmbësorësh. Duke menduar që kjo pamje mund të jetë e përkohshme, futem në brendi të qytetit dhe gjej të njejtën situatë si në hyrje të tij. Vazhdoj më tutje, por nuk ndryshon asgjë. Sigurisht, një situatë të tillë në Tetovë e shohim çdo dit, mirëpo mua mund të më duket pak jonormale sepse ka dy vite që qytetin tim e shoh vetem 15 ditë në çdo 6 muaj.
II
Tetova ka dy universitete, disa shkolla të mesme, e fillore. Këto të dhëna lënë të kuptojmë se qyteti është i stërngarkuar. Rrugët e qytetit janë mjaft të ngushta, madje edhe ajo rrugë nga hyrja lindore e deri në daljen jugore, që ka dy vijëzime me nga dy linja veturash, nuk mjafton për të përballur fluksin e veturave dhe të këmëbsorëve. Pra, qyteti vazhdon të jetë i çorientuar, e në shumë raste edhe i bllokuar. Në këtë situatë vështirë se ndihmon edhe rruga industriale e cila po ashtu është me dy vijëzime për dy linja veturash, në të cilën, në ditët e verës dhe sidomos kur vijnë gurbetlinjtë, Policia drejton veturat në atë drejtim, në mënyrë që të mos bllokohet brendia e qytetit. Me plot bindje them që një njeri i sëmurë që ka nevojë për ndihmën e shpejtë, do të vdesë në auto-ambulancë ende pa dalë nga lagja ku banon. E njëjta gjë vlen edhe për zjarrfikësit. Rrugët e tilla të bllokuara do të pengojnë që ekipi të vijë në ndihmë të ndonjë zjarri që mund të kaplojë një shtëpi apo diçka tjetër. Në këtë rast, të mos harojmë edhe bicikletat, e sidomos invalidët, për të cilët nuk ka asnjë hapësirë komunikacioni të cilën e hasim në Evropën Perëndimore.
Rrugët kryesore të qytetit nuk janë të vetmet që nuk ofrojnë lëvizje normale. Po t’u hedhim sy rrugëve të lagjeve, apo atyre ndërlidhëse brenda qytetit, atëherë do të shohim një gjendje ende më të mjerrueshme. E keqja tjetër që haset në Tetovë është mënyra se si është ndërtuar; pallatet e mëdhaja nga njëra anë, si dhe shtëpitë private nga ana tjetër, e bëjnë Tetovën një qytet të mbrapsht, të betonizuar, që nuk frymon aspak. Jo rastësisht, statistikat që lexova para disa ditësh, tregojnë se Tetova është ndër qytetet më të ndotura. Ndërtimi i këtyre pallateve lë të kuptosh se janë ndërtuar pa kritere; lejet e ndërtimit janë dhënë nga njerëz të korruptuar të cilët kanë shkelur ligjet e urbanistikës. Si rezultat i këtyre veprimeve të jashtëligjshme të zyrtarëve komunal të të dy strukturave partiake, kanë ra në hall edhe qytetarët, të cilët u janë drejtuar gjykatave. Mirëpo, duke e ditur që vendi është ndër më të korruptuarit në botë, atëherë është e kotë që qytetarët t’u drejtohen gjykatave sepse po të shohim lëndët gjyqësore, do të gjejmë vendime gjyqësore të cilët ndëshkojnë ndërtuesit e pallateve për shkelje të ligjit, për ndërtim të pallateve që nuk janë të përfshira në regullat e ndërtimit urbanistik; do të gjejmë vendime për rrëzim të pallateve të ndërtuara, vendime këto të cilat nuk zbatohet sepse në këtë shtet çdo gjë është e korruptuar; zyrtarët komunal çirren e përçiren në fushatë zgjedhore për një Tetovë të bukur, të lulëzuar, mirëpo pasi që mbarojnë zgjedhjet, sërish gjejmë një Tetovë të betonizuar.
III
E kur jemi te zgjedhjet, pra te politika, tani së shpejti kemi zgjedhje të reja lokale. A thua çfarë do të na ofrojnë partitë politike ? Çfarë gënjeshtrash kanë sajuar këtë radhë ? A do e bëjnë Tetovën Hong Kong (si që u pat deklaruar dikur Miftar Ziberi), apo do ta bëjnë Paris, Dubaj, apo do ta lënë në këtë gjendje që e kemi sot ? A do të vazhdojnë hakmarrjet politike për shkak të strutkruave të ndryshme partiake udhëheqëse qeveritare dhe lokale ? A do të vazhdojnë të heshtin tetovarët ndaj këtij keqmenaxhimi që i është bë qytetit nga të gjitha strukturat qeverisëse të deritanishme me qytetin ?
Ndryshimet që mendoj se duhet të ndodhin në Tetovë më duket se do t’i ëndërroj edhe për një kohë të gjatë sepse lajmet që i lexoj tregojnë që Tetova do të jetë po kjo që është. Uji ende nuk mund të regullohet; njëfar rrethi gjigand që është nisur të regullohet në qendër të Tetovës, si duket ka ngecur gjithashtu; disa rethe tjera janë ndërtuar dhe kjo gjë më pëlqen sepse ndihmojnë shumë në komunikacion, mirëpo a mjaftojn këto gjëra për një Tetovë kaq të madhe dhe me një popullatë të një numri të këtillë ? Ndërkaq, problemet me qytetin nuk janë vetën përbrenda, por edhe në fshatrat për rreth. Gjendja është e mjerrueshme ne çdo aspekt, sidomos në periudhë dimri. E për ta rënduar më shumë këtë situatë të fshatrave, qeveritarët na shërbyen edhe me vrasje para disa vitesh.
Qyteti para se gjithash meriton një strukturë udhëheqëse e cila nuk do ta keqtrajtojë qytetin dhe qytetarin; ata që do të udhëheqin me Tetovën në mandatin e radhës duhet të kenë program të caktuar që do të sjell ndryshime rrënjësore në qytet; nëse nuk investohen shuma të mëdhaja, atëherë qyteti do të mbetet po ky që është tani; e kur të kemi parasysh që kandidatura më të forta janë nga partitë të cilat kanë dështuar në menaxhimin e qytetit atëherë nuk ngelet vend as për shpresë për një të ardhme më të mirë për Tetovën.
Të gjithë premtojnë ndryshim, por nuk ndodh kjo; të gjithë premtojnë ndërtim, por shohim degradim; të gjithë premtojnë punë, por ja futin gjum, e ata që e heqin më së shumti janë qytetarët e Tetovës, prandaj të kemi kujdes se kë e votojmë.
Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS
0 comments for "Për qytetin tim …"