Lajmet e Fundit

Assadi e ka paraqitur planin e pajtimit, por pa perëndimin

By Unknown - 1/6/13


Presidenti sirian Bashar al Asad komentoi sot për herë të parë planin e paqes, duke bërë thirrje për një konferencë pajtimi në vend, me ata që ‘e kanë tradhtuar Sirinë’. Me propozimin e kësaj konference ndërkombëtare ai përmendi vijimin për hartimin e një kushtetute të re, formimin e një qeverie të re, dhe amnistinë për të gjithë protestuesit. Por Asad ka refuzuar të zhvillojë negociata me ata që janë ‘kukulla’ opozitare. Ai theksoi se nisma e tij mund të zbatohet, vetëm nëse Perëndimi dhe shtetet rajonale e ndalin financimin e vrasësve kriminelë. 
‘Faza e parë e zgjidhjes politike do të kërkojë që fuqitë e mëdha të ndalin financimin dhe armatosjen e opozitës, që t’i jepet fund operacioneve terroriste dhe kontrollit të kufijve”.... ‘Ne nuk mund të ulemi në dialog me një kukull të perëndimit’, tha Bashar Al Asad, president i Sirisë.
Asad tha se qeveria e tij mbetet e hapur për një zgjidhje politike, e cila më herët nuk ishte arritur për shkak të mungesës së një partneri opozitar të besueshëm.
‘Ne kërkuam një zgjidhje politike, por nuk gjetëm një partner. Ne s’e kemi refuzuar asnjëherë zgjidhjen politike por nuk do të negociojmë me banditë të manipuluar nga jashtë, as me ekstremistë dhe grupe të lidhura me terrorizmin. Duam dialog me padronin, jo me shërbëtorët e tij. Jemi gati të bisedojmë. Shtrijmë dorën për bisedime. Do të bisedojmë me individë dhe parti që nuk janë të shitur tek të huajt dhe pushtuesit. Le të bisedojmë për të mirën dhe sovranitetin e Sirisë’ , tha Bashar Al Asad, president i Sirisë.
Asad e mbajti fjalimin mes ovacioneve të mëdha në sallën e Teatrit të Operës në Damask, në daljen e parë publike pas disa muajsh. Gjatë largimit të skenës, mbështetës të shumtë të tij u ngritën për ta përshëndetur presidentit sirian Bashar Al Asad. Por, ndërsa Asad akuzon perëndimin, kryeministri Britanik Dejvid Kemërun përsëriti qëndrimin se Asad duhet të lërë pushtetin! Kemërun nuk e mohoi faktin se po punon për të përshpejtuar tranzicionin në Siri. 
‘Mesazhi im për Asadin është ‘Shko’. Ai është njeriu që i ka përlyer duart me gjak, më së shumti. Tani, jemi në 60 mijë viktima, në Siri. Unë kam takuar disa prej viktimave të konfliktit, refugjatët nëpër kampe të Jordanisë, të cilët tregojnë për bombardimin pa motiv të shtëpive të tyre. Në aspektin humanitar, Britania është dhuruesja e dytë më e madhe në botë për ndihmat që ofron, e po ashtu, po punojmë me partnerët tanë të formësojmë sa më shumë opozitën brenda dhe jashtë Sirisë, për të përshpejtuar tranzicionin, për të hequr qafe një regjim të paligjshëm, dhe t’i japim një shans të ri Sirisë’, tha Dejvid Kamerun, kryeministër i Britanisë. 
Ndërkaq, nuk dihet nëse vërtet ky plan paqeje i Asadit do të funksionojë. Forcat opozitare kanë gjasë ta refuzojnë atë, për shkak se ato kërkojnë tërheqjen e tij të plotë nga pushteti. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 60 mijë njerëz janë vrarë në Siri, prej marsit të vitit 2011, kur filloi kryengritja kundër regjimit të Asadit.

Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS

0 comments for "Assadi e ka paraqitur planin e pajtimit, por pa perëndimin"

Leave a Reply