Nesër në Tetovë mbahet Kongresi i parë i RDK-së
By Unknown - 12/21/12
Kongresi i parë i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), i paralajmëruar për tu mbajtur ditën e shtunë në qytetin e Tetovës, duket se do të konfirmon kryesimin e partisë nga njeriu që e formoi, dhe se sfidues ndaj ti nuk do të ketë.
Në katër vitet e ardhshme, sipas të gjitha gjasave partia do të drejtohet nga themeluesi dhe drejtuesi i saj i deritanishëm, Rufi Osmani. Një ditë para mbajtjes së kongresit, nga këshilli organizativ për mbarëvajtjen e kongresit partiak konfirmohet se kandidatura e vetme e zyrtarizuar deri tani, ngelet ajo e liderit aktual, Rufi Osmani.
Izet Zeqiri, njëri nga përgjegjësit për zhvillimin e kongresit, pohoi se gara është e hapur dhe çdo kush nga anëtarësia e partisë mund të kandidojë, duke përsëritur qëndrimin se edhe zgjedhjet brenda partiake nëpër degë dhe nëndegë kaluan në një atmosferë demokratike dhe sipas statutit partiak.
“Deri në momentet që po flasim nuk ka arritur dhe nuk është zyrtarizuar ndonjë kandidaturë tjetër përpos asaj të liderit tonë, Rufi Osmani”, nënvizoi Zeqiri.
Kongresi i partisë, do të rezulton me zgjedhjen e kryetarit dhe kuvendit qendror, që më pas në mbledhjen e parë të kuvendit të caktohen edhe strukturat e tjera udhëheqëse të partisë, siç janë nënkryetarët dhe sekretari. Kjo pritet të ndodhë, më së voni një javë pas përfundimit të kongresit.
“Bazuar në statutin e partisë, në kongres do të zgjidhet vetëm kryetari dhe kuvendi qendror. Ky i fundit, në mbledhjen e parë do të obligohet të zgjedh kryesinë e ngushtë partiake”, vijoi Zeqiri.
Në kongresin e parë të quajtur “Për Rilindje Demokratike”, të ftuar janë përfaqësues të partive politike në vend, Kosovë dhe Shqipëri. Po ashtu, të ftuar janë përfaqësues të universiteteve, ambasadorë të akredituar në Maqedoni dhe komuniteteve fetare. Nga Shqipëria pritet të jenë përfaqësues nga PD, PS dhe LSI, ndërsa nga Kosova kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, lideri i LDK-së Isa Mustafa, dhe përfaqësues të AAK-së. Nuk dihet prania e përfaqësuesve të PDK-së.
Nga partitë politike shqiptare, gazeta Koha mëson jo zyrtarisht se BDI do të merr pjesë me sekretarin Abdilhaqim Ademi dhe deputetin Xhevat Ademi. Nga PDSH nuk ka ende ndonjë konfirmim.
Nga kongresi i parë partiak, lideri Osmani pret prurje të reja në radhët e kësaj partie. Në prononcimin për gazetën Koha, Osmani thotë se kongresi do të konfirmon vizionin evropian dhe tabanin kombëtar të kësaj partie.
“Në esencë kongresi jonë i parë do jetë verifikim i rrugës së deritashme politike dhe do jep një mesazh kyç se RDK është në funksion të mbajtje së hapur të kontestit politike shqiptaro – maqedonas. Do të japim mesazh për kyçjen në radhët tona të intelektualeve, afaristeve dhe njerëzve të rinj me potencial dhe vizion evropian dhe me taban kombëtar”, u shpreh Osmani. Anëtarët e kongresit pritet të votojnë edhe propozim statutin dhe programin politik të Rilindjes Demokratike Kombëtare.
Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS
0 comments for "Nesër në Tetovë mbahet Kongresi i parë i RDK-së"