Aktori Luran Ahmeti, 'I keqi' i serialeve turke
By Unknown - 1/7/13
Ata që shkojnë në teatër, Luran Ahmetin, e njohin si aktorë në shfaqje, ndërsa ata që shikojnë televizor e njohin nga serialet turke, kurse të tretët përmes kinematografisë. Ndokush e njeh përmes të tre gjinive.
Ai para do kohe i është kthyer teatrit pas një shkëputje nga dërrasat e skenës, jo se nuk fiton para nga serialet turke ose nga filmat, por më shumë sepse teatri i flenë në zemër. Kthimi nuk ka qenë dosido, por një kthim me një çmim, pas atij të para disa viteve në Festivalin e Fierit. Para një muaji është zgjedhur aktor më i mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Preshevë, me shfaqjen “Paraja” të Teatrit Shqiptar në Shkup. “Sinqerisht nuk e kam pritur një çmim aty dhe sendi që më shumë më ka kënaq është se fitoj një çmim me shfaqje që e luajt pas pesë viteve pauzë. Dhe më shpërblejnë me rolin e parë, dhe ky është shpërblim i mundit që kam ndaj profesionit dhe skenës. Është me të vërtetë kënaqësi shumë e madhe, mirëpo besoj se me këtë nuk më kanë shpërblyer vetëm mua, sepse kjo shfaqje është prodhim i punës ekipore”, thotë ai. Megjithëse pranon se serialet financiarisht për momentin janë më profitabile se sa puna si aktorë në teatër, Lurani thotë se nuk ka qenë ky shkaku pse kishte pauzuar kaq vite nga skena e Teatrit Shqiptar në Shkup. Kanë qenë rrethana krejt të tjera, objektive dhe subjektive.
“Nuk kam luajtur katër vjet e gjysmë për shkak të arsyeve të ndryshme. Në ato shfaqje të cilat unë kam dashtë të luaj ndoshta regjisorët nuk më kanë parë si aktorin e përshtatshëm. Nuk dua të akuzoj askënd, por rrethanat kanë qenë të atilla, siç ndodhin në jetë rrethana të çuditshme...”, tregon ai.
Por, pauza nga teatri, nga skena, nëse mund të quhet “vetëvrasje” për aktorët, kjo nuk i ka ndodhur atij. Shansi do t’i shfaqet për të provuar vetën në seriale, në një gjuhë krejtësisht tjetër, ashtu si edhe në një treg shumë më të madh se sa është konsumi artistik shqiptar. Seriali turk “Elveda Rumeli” është prelud që ai të depërtojë suksesshëm në telenovelat turke, aq shumë ndikuese dhe të shikuara edhe te ne.
“Në fillim këtu në Maqedoni duhej të xhiroheshin 6-9 episode. Ishte një punë afatshkurtër, me një honorarë të mirë dhe në atë kohë nuk desha ta refuzoj, sepse nuk isha i angazhuar edhe në teatër. Mirëpo, fati e deshi që, edhe pse e luaja “të keqin”, publiku më priti shumë mirë dhe roli im zgjati 80 episode aty”, tregon Lurani. Në ndërkohë me teatrin nuk i kam humbur lidhjet, unë kam qenë aty prezent, mirëpo ja që nuk ndodhi që të jem pjesëmarrës në ndonjë projekt, thotë ai. Si në çdo teatër, qoftë në Tiranë apo Prishtinë, apo edhe gjetkë, ekzistojnë klane, ftesa regjisorësh në baza shoqërore të cilët jo gjithmonë i zgjedhin aktorët sipas meritokracisë. “Teatri ynë ka shumë aktorë të punësuar, që ndonjëri punon në ndonjë periudhë dhe në tjetrën jo, por kjo është punë tjetër. A ka klane? Sigurisht që po! Është e pamundur të mendohet që shqiptarët të funksionojnë pa klane. Edhe sikur të jem unë shqiptari i fundit në një ishull të vetëm, më duket se do të ndahem në dysh dhe do të përlahem me veten. Kështu jemi, kodin e kemi kështu. Unë më kam hequr dorë, nuk mund ta luftojë këtë. Sa i përket regjisorëve, secila udhëheqësi ka plan-programin dhe botëkuptimin e vet si i shikon punët. Edhe ata e bëjnë plan-programin ashtu siç besojnë se është më mirë. Nuk kemi patur vetëm regjisorë nga Shqipëria dhe Kosova, kemi patur edhe regjisorë nga Maqedonia, Bosnja etj.. Nuk e besoj se vetëm pse kam hequr dorë nga kjo lufta mes klaneve shumë moti kohë, kam mbetur pa role. Unë e konsiderojë veten anëtarë të asnjë klani, qëndroj mirë me të gjithë. Dhe mosangazhimi im nuk e besoj që ka të bëjë me këtë, por thjesht shija artistike. Ka ndodhur edhe mua mos të më pëlqejë ndonjë projekt dhe kam hasur në mirëkuptim, edhe pse kanë mundur të më urdhërojnë”, thotë ai.
Aktori Luran Ahmeti, ashtu siç e njohin të gjithë, është i pa kompromis, kritikon politikën shqiptare për qasjen ndaj kulturës në përgjithësi, dhe Teatrit Shqiptar në Shkup në veçanti. “Kultura te ne nuk është në tranzicion, por kultura te ne është e anashkaluar prej kur ka filluar tranzicioni. Domethënë, akoma nuk ka filluar të hyjë në tranzicion. Tash nuk mund të flas për sferat tjetra artistike, por mund të flas për profesionin tim. Edhe më saktë, mund të thirrem në profesionin tim dhe në institucionin në të cilin punoj. Teatri ynë nuk ka publikë dhe kjo ndodh për shumë arsye. Keni edhe faktorë të brendshëm, edhe të jashtëm. Faktorët e jashtëm janë politik. Faktorët e jashtëm janë më të mëdhenj. Janë politika, pa marr parasysh, nuk dua tash me e sha BDI-në apo PDSH-në, ose më mirë them duhet me i sha edhe BDI-në edhe PDSH-në, se janë injorante të dyja, pasi e kanë lënë pas dore kulturën shqiptare duke thënë: Hajt se nuk e kemi kohën për kulturë. Përkundrazi, një popull në tranzicion e ka kohën për kulturë gjatë tranzicionit, për të mos mbetur injorant ashtu siç kanë mbetur shqiptarët tani në Maqedoni, çmimin e të cilës do ta paguajmë shumë vite me radhë”, ankohet ai.
Parakushtet fizike të cilat nuk i plotëson Teatri Shqiptar në Shkup e nervozojnë atë. Madje, për ta ilustruar diskriminimin e investimeve në kulturë apo në teatrin shqiptar, ai merr investimet që bëhen në teatrot dhe kulturën maqedonase në Shkup. “Teatri ynë ndodhet në një lokacion me kushte mizorie. Ndriçohet i gjithë Shkupi, rregullohen krejt rrugët, teatri ynë është në errësirë komplet, rrugët i ka plotë me plehra, dhe arritjen deri aty e ke të vështirë, sa që mua më vjen vështirë të shkoj edhe në punë. Në darkë ke frikë të shkosh aty... Unë mendoj se ky është parakushti i parë pse nuk kemi publikë në teatër. Pastaj nuk kemi publikë se akoma e ndajmë skenën dhe godinën me Teatrin turk, edhe pse Teatri turk fizikisht është dashur të ndahet nga ne që para gjashtë viteve. Ndërsa, në këtë po të njëjtin qytet e ke Teatrin e Dramës të maqedonasve, e ke Teatrin Kombëtar Maqedonas, që është duke u përfunduar dhe do jetë gati në mars, ashtu si skenën e vjetër të Teatrit Kombëtar Maqedonas që tani do ta ketë Teatri i Komedisë së maqedonasve. Domethënë maqedonasit kanë tre skena, dhe ne kemi një gjysmë skene, sepse gjysmën tjetër e kanë turqit. Në momentin kur ne nuk mund të kemi repertor të rregullt për shkak të këtyre faktorëve, atëherë humbet edhe publiku. Këtu ndikojnë kushtet e jashtme. Dhe politika shqiptare, le që aspak nuk është interesuar, por ndoshta-ndoshta edhe e ka ndihmuar që të jetë kështu në gjendje mizore. Jam i bindur se e njëjta vlen edhe për Teatrin e Tetovës dhe për gjithë kolegët dhe miqtë e mi që i kam aty. Ato punojnë në kushte anormale. I është premtuar një godinë teatrit që moti dhe politikanët tanë ua rrahin shpinën aktorëve duke menduar se po bëjnë diçka mirë, duke u thënë se po e merrni rrogën. Unë nuk mund ta marr rrogën dhe të jem mirë, unë dua ta marr rrogën dhe të punoj, të bëj shfaqje të mira. Në Teatrin e Tetovës nuk ka kushte elementare për teatër,s’ka akustikës, s’ka vend ku aktorët të veshin dhe zhveshin kostumet. Unë e mbaj mend dimrin e kaluar, kemi punuar pa nxehje në minus 20 gradë. Ato nuk janë kushte njerëzore. Dhe përsëri i fajësoj të gjithë politikanët, sepse për ta kultura është një diçka që nuk është me rëndësi dhe kanë prioritete tjera - tenderët janë më me rëndësi se kultura!”, thotë i revoltuar Luran Ahmeti. Atë e shqetëson fakti se si pasojë e moskujdesit shtetëror në rënie e sipër është imazhi që dikur e gëzonte Teatri Shqiptar në Shkup, si “ventil teatror në gjithë hapësirat shqiptare”. Madje, thotë se është për të ardhur turp se Prishtina dhe Tirana ecin me hapat të përshpejtuar, kurse Teatri Shqiptar po stagnon. “Tash Shqipëria dhe Kosova, edhe pse shtete të varfra si Maqedonia, çuditërisht kanë buxhet pak më të madh për teatrin seç kemi ne. Maqedonasit e kanë buxhetin njësoj si Tirana dhe Prishtina, ndërsa ne jemi të anashkaluar. Bashkëpunimi me Tiranën dhe Prishtinën si kalojnë vitet po humbet për shkak të mospërputhjeve buxhetore. Asgjë nuk ndodh pa para. Për shkak të mosbalancit buxhetor bashkëpunimet ngatërrohen dhe dita-ditës edhe ftohen marrëdhëniet. Nuk po them se janë marrëdhëniet e ftohura, akoma ekziston iniciativa, por ne po e humbim trendin karshi Kosovës dhe Shqipërisë. Ne kemi qenë si teatër i vetmi ventil dhe teatri më i suksesshëm shqiptar me vite dhe dekada, mirëpo tash fatkeqësisht nuk jemi. Turpërohem pse po e them këtë, sepse tash jam unë pjesë e këtij teatri. Nuk mund të them se jemi teatri më i mirë shqiptar, se na ka kaluar Prishtina. Mua më vjen shumë inat. Jo që nuk kemi kapacitet për të qenë akoma përfaqësues më të denjë të teatrit shqiptar gjithandej, por nuk e kemi mbështetjen financiare dhe shtetërore që na nevojitet”, thotë Lurani.
Mes aktorëve shqiptarë nuk ekzistojnë më ato paragjykimet e para disa viteve, kur gjenerata më e vjetër frikohej nga të rinjtë, të cilët edhe silleshin si “yje”. “Mendoj se është shkri falë nesh, falë gjeneratës sime, sepse ne jemi ajo gjenerata e parë e re pas shumë vitesh. Tash më po them, fatkeqësisht, nuk jemi më ne gjenerata e re. Ne jemi gjenerata e mesme. Dhe si gjeneratë e mesme, më duket se e mbajmë linkun mes më të rinjve dhe më te vjetërve. Tash më ekziston një harmoni dhe nuk e kemi më atë presion siç ishte dikur”, thotë Lurani. Por ajo që është shqetësuese, sipas tij, është perspektiva e aktorëve të rinj. “Sa i përket gjeneratës së re që po vjen dita-ditës, mua çdoherë më kanë akuzuar për këtë. Por, mendoj që është gjynah. Mendoj, që është gjynah që në Akademinë e Tetovës ka një klasë aktrimi, sepse kemi dy institucione, njëri prej të cilëve funksionon prej para disa vitesh, të cilat tani janë përplot me kuadro. Unë nuk them që nuk duhet të kemi akademi teatri dhe aktrimi, përkundrazi, sepse duhen të ripërtërihen gjeneratat. Mirëpo, kur do të prodhosh brenda 10 viteve 150 aktorë, ndërsa në të dy institucionet ke të punësuar 50 dhe është mbushur numri, ku do të shkojnë këta 100? Edhe me sa fytyrë mund t’i marrësh në qafë ata njerëz. Për të bërë një gjë të tillë, duhet patur kushte. Maqedonasit në Akademinë e Shkupit kanë 3 vjet dhe 1 vit pauzë, kurse kanë tre teatro. Ata kanë teatro në të gjitha qytetet dhe nuk kanë çdo vjet klasë të aktrimit”, thotë ai.
“I keqi” i serialeve turke
Në të gjitha serialet turke që kam luajtur kam qenë “i keqi”. Atje kam menaxherin tim dhe mirë është kur ke dikë që merret me organizimin e punës tënde. Dhe ai e ka parakushtin prej meje që kur ka të bëj me ndonjë ofertë nga ekrani, nëse personazhi nuk është “i keq”, mos ta pranojë. Por, kjo vlen për televizionin, kurse sa i përket filmit artistik dhe teatrit, kam kritere tjera. Në botën e televizionit, protagonisti, roli kryesor është zakonisht model, dhe unë nuk dua me qenë nën hije të ndonjë modeli. Nëse nuk jam heroi, atëherë do të jem antiheroi. Edhe kjo është punë inati e shqiptarëve. Unë kam qejf që në rolin që e bëj të qëndroj në këmbët e mia dhe jo të jem pas shpinës së dikujt.
Të jesh shqiptar në Turqi është privilegj
Unë kam shkuar vetë me shumë paragjykime ne Turqi. Kam shkuar te njerëzit të cilët na kanë sunduar 500 vjet dhe janë kundër nesh dhe se i duan maqedonasit më shumë se ne, e ku ta di se çka. Ata janë turqit e këtushëm, të cilët nuk kanë lidhje me atë çka ndodh atje. Unë si shqiptar i Maqedonisë, çdoherë kur kam shkuar në Kosovë, jam ndjerë i ofenduar. Me kanë thënë maqedon, qytetarë i rendit të dytë, edhe pse jam nip Kosove. Kur shkojmë në Tiranë, nuk duhet ta përmendi - jemi maqedons. Këtu maqedonasit më kanë thënë “shiptar”. Më ka shkuar jeta duke qenë qytetar i rendit të dytë dhe për të qenë i barabartë me cilin do qoftë, edhe mes popullit tim, në Prishtinë apo në Tiranë, është dashur të punoj pesëfish më shumë se ata. Unë si shqiptar i Shkupit vetëm në Nju-Jork, kur kam shkuar në vitin 2003, e kam ndjerë se çfarë do të thotë barazia dhe liria. E kam ndjerë lirinë në Amerikë dhe vendin i dytë në të cilin kam qenë i privilegjuar si shqiptar, është Turqia. Për befasi të madhe timen. Në Turqi të jesh shqiptar është privilegj, sepse turqit i respektojnë shqiptarët tejmase, ndoshta më shumë edhe se duhet. Kjo më ka habitur shumë. E kupton se pse të duan, sepse Turqinë e kanë formuar shqiptarët në realitet, madje e kanë ruajtur shqiptarët nga faktori grek, ermen, bullgarë etj, etj... Shumica e personaliteteve historike turke janë me prejardhje shqiptare. Shumica e gjeneralëve kanë qenë shqiptarë, pasanikët e mëdhenj të tyre janë shqiptarë, aktorët dhe këngëtarët mbi 50 për qind kanë ndërlidhje ose prejardhje shqiptare. Unë kam çuar mbi 100 flamuj kombëtar për njerëzit atje, njerëz të cilët kur i shohim në televizor nuk ta merr mendja se kanë lidhje me shqiptarët. Ajo që kam patur unë paragjykim këtu, të cilin ma kanë imponuar rrethanat dhe qytetarët e këtushëm, atje ka qenë komplet e kundërta. Betohem se të jesh shqiptar në Stamboll është privilegj, nuk është diçka e keqe, dhe për ne shqiptarët e Maqedonisë është një ndjenjë e re. Për të Kosovës dhe të Shqipërisë, ata janë të mësuar, por për ne, si jetim, është një ndjenjë e re që të kënaq shumë dhe që na mungon gjatë gjithë jetës.
Follow Blogun Tone Ne Twitter, Bëhuni Fans Në Facebook. Stay updated via RSS
0 comments for "Aktori Luran Ahmeti, 'I keqi' i serialeve turke "